PD del në mbrojtje të tenderit të ish-Hotel Dajtit



PD del në mbrojtje të tenderit të ish-Hotel Dajtit

15:30 13/06/2017

Partia Demokratike ka dalë sot hapur në mbrojtje të tenderit të zhvilluar në mënyrë të fshehtë dhe dyshimtë të Bankës së Shqipërisë për rikonstruksionin e ish–hotel Dajtit.

Ende pa u prononcuar vetë Banka, e cila ka refuzuar deri tani t’i ktheje përgjigje publikut për mënyrën si u zhvilluan procedurat e tenderit, prononcimin e parë për këtë çështje e ka bërë nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Me një ndërhyrje sa të pakuptimtë aq edhe të dyshimtë në investigimin e Televizionit Klan mbi përdorimin e parave publike, Edmond Spaho ka marrë përsipër të dalë në konkluzione për tenderin, përpara se konkluzionet t’i beje vete Banka e Shqipërisë qe e ka organizuar atë.

Televizioni Klan ka kërkuar prej ditësh nga Banka Qendrore t’i përgjigjet interesit publik se cili është projekti i rikonstruksionit te ish –Hotel Dajtit, kush e ka bërë atë, kur është zhvilluar tenderi, sa kompani kanë marrë pjesë në garë, kush e ka fituar dhe perse ka kushtuar 18 milionë euro rikonstruksioni i kësaj godine, në një kohe kur rikonstruksioni i ndërtesës së bankës që ka një sipërfaqe më të madhe, ka kushtuar rreth 6 milion euro me pak.

Pra, Televizioni Klan ka kërkuar të bëhet transparenca e këtij tenderi, për te cilin dyshimet janë shtuar si pasojë e mungesës së deritanishme të sqarimeve nga ana e Bankës se Shqipërisë.

Transparencë është kërkuar për këtë tender edhe nga vetë anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Arben Malaj, njeri prej anetarëve, në një deklarate publike, kërkoi që në çdo rast përballë njoftimeve apo shqetësimeve publike, Banka e Shqipërisë si çdo entitet tjetër publik, duhet të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë efiçencën maksimale të përdorimit të çdo qindarke në çdo shpenzim apo investim të saj. Transparenca duhet të jetë e menjëhershme, ndërsa sfida e efiçencës së shpenzimeve një prioritet i matshëm dhe i përhershëm, thotë Malaj.

Por nënkryetarit të Partisë Demokratike, këto shqetësime reale dhe kërkesa për t’i treguar publikut se çfarë fshihet pas këtij tenderi të zhvilluar fshehurazi, i duken gjueti shtrigash.

“Pa asnjë argument dhe pa parë projektin nxirren konkluzione”, shkruan nënkryetari i Partisë Demokratike.

Deri tani, në opinion publik nuk është bërë ndonjë akuzë, por thjesht është kërkuar informacion për një projekt që ndërtohet me paratë publike.

Dhe Partia Demokratike, në vend qe të kërkoje sqarime të mëtejshme madje edhe ne hetime për këtë çështje, i del në mbrojtje tenderit të Bankës së Shqipërisë.

Pas deklaratës së sotme, lind pyetja, por ç’punë ka Edmond Spaho me tenderin e Bankës së Shqipërisë.

Dhe përgjigja erdhi menjëherë nga brenda bankës ku na thanë se guvernatori aktual i ka marrë në punë nipin Edmond Spahos para disa kohësh, pasi atë ia larguan nga tatimet.

A është ky një motiv që një prej udhëheqësve kryesorë të opozitës të lërë fushatën në kulmin e saj dhe të merret me mbrojtjen e tenderit te bankës?

Deklaratat e Edmond Spahos kanë habitur opinionin publik se si ai është bërë i pari personalitet publik që ka nxituar t’i dalë në mbrojtje veprimit që as ai vete nuk e di se si ka ndodhur, duke përdorur pozicionin e tij si nënkryetar parlamenti dhe nënkryetar i Partisë Demokratike, por edhe vetë Partinë Demokratike, të cilën, në vend që ta reshtojë në krah të interesit publik, e bën atë palë të interesave personale e familjare.

/Tv Klan



Të ngjashme