Partia Demokratike ka reaguar menjëherë pas deklaratës së Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, në lidhje me fitimin e gjyqit, për protestën e 8 Dhjetorit të 2015. Në deklaratën e saj, selia blu shprehet se dëmet që pretendohen të jenë shkaktuar nga kjo protestë, janë fryt i fantazisë së Erion Veliajt.

“Pretendimi sot i Erion Veliajt se paska fituar gjyqin me PD në lidhje me protestën e 8 Dhjetorit është një riciklim mbetjesh e mashtrimesh të ulëta. Sot, Gjykata Administrative vendosi shfuqizimin e të 7 akteve të Erion Veliajt, pra shfuqizoi pretendimet e tij sikur protesta popullore kishte shkaktuar 172 milionë lekë dëme në qytet. Gjykata e gjeti të paligjshëm dhe të pabazuar në prova, pretendimin e Veliajt, të bërë edhe publik me njoftimin që bëri me 8 Dhjetor 2015, ku ai kakariste se do ta detyronte PD-në të paguante çdo qindarkë. Në këtë mënyrë gjykata pranoi argumentimin e përfaqësuesve të PD se “dëmet”, ishin fryt i fantazisë së Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe se ato nuk kishin ndodhur në të vërtetë. Për më tepër, gjoba që Veliaj i vendosi protestës popullore, ishte një falsifikim i pastër, shkelje e rëndë ligjore, për të cilën ai duhet të ndiqet penalisht, pas kallëzimit që ka bërë polici bashkiak, të cilit iu falsifikua firma.”

Më herët Kryetari Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një deklaratë për mediat u shpreh se drejtësia u vu në vend, sa i përket vendimit të Gjykatës Administrative e cila la në fuqi vetëm një gjobë prej 20 mijë lekësh ndaj PD-së, për ndotje të ambientit gjatë protestës.

“Drejtësia vonon, por fitoi Tirana, qyteti është i të gjithëve, vandalizmi nuk duhet toleruar,”

tha Veliaj./tvklan.al