Muça: Nuk kam përfituar asnjë ndihmë

Partia Demokratike ka vijuar të denoncojë braktisjen që sipas saj qeveria i ka bërë premtimit për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit të shkuar. Ish-deputetja demokrate, Oriola Pampuri ishte në Thumanë, ku pa nga afër kushtet në të cilat jeton familja e Arben Muçës, i cili thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti. 

“Jemi dëmtuar nga tërmeti shumë. Është shtëpia pa kolona, është shumë e dëmtuar, kam frikë të jetoj brenda. Rri këtu te nëna në çadër. Nuk përfitoj as bonus, as qira, as ndihmë sociale, as ushqime, as kryq të kuq, asgjë. Unë si me qenë ndonjë jetim ose mos me qenë shqiptar. Nëna më jep pensionin për të likuiduar kredinë çdo muaj se kanë ardhur më kanë sekuestruar”, tha ai.

Nëna e tij, Pashke Muça shprehet se edhe shtëpia e saj është e dëmtuar dhe se të vetmen gjë që kërkon nga shteti është ti sigurojë një strehë me të sigurtë.

“Unë kërkoj një kontenier se uji i gjithi më futet brenda. Jam pensioniste, jam e sëmurë, jam me tension. Kam shkuar, kam kërkuar kudo s’më kanë sjellë një kontenier të paktën. Le të jetë i përdorur nuk e dua të rri, vetëm mos më futet uji brenda”.

Selia blu prej ditësh ka përcjellë shqetësimet e familjeve të prekura nga tërmeti i vitit të shkuar, ndërsa ka akuzuar qeverisë se i ka lënë ata në harresë dhe nuk ka bërë asgjë për t’u ardhur në ndihmë.

Tv Klan