Tabaku: Zall-Bastari ka 8 vite që pret një urë

“Gjendja e fshatit është katastrofike. Ne po vuajmë për gjithçka, këtu rrugë nuk ka, njerëzit janë pa punë, nëpër çadra”

Ndonëse vetëm 15 kilometra larg Tiranës, banorët e Zall-Bastarit iu ankuan ish-deputetes demokrate Jorida Tabaku për gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë, si dhe mungesën e një ure të sigurtë. Për përfaqësuesen demokrate, reshjet e shiut kanë nxjerrë në pah edhe më shumë vjedhjen e qytetarëve dhe premtimet e pambajtura nga qeveria kundrejt fshatit.

“Sot kur Shqipëria është nën shi, qeveritarët e zhytur në luks udhëtojnë për dreka dhe për darka me oligarkët dhe me delegacionet me burimet financiare të buxhetit të shtetit. Nuk ka pse të këtë qytetarë të Tiranës, që kanë 8 vite që presin një urë. Nuk ka pse të ketë qytetarë që diskriminohen politikisht, pse janë të majtë e të djathtë, për të marrë fondet e rindërtimit apo për t’iu rregulluar shtëpitë”.

Ish-deputetja tjetër, Lindita Metaliaj dhe kreu i FRPD-së, Belind Kelliçi ishin në Lezhë ku panë nga afër situatën e shkaktuar nga përmbytjet, ndërsa akuzuan qeverinë se ka braktisur qytetarët.

“Është një qeveri që mendon vetëm për vete. 3500 ha tokë janë nën pushtetin e ujit, sepse këta nuk kanë investuar asgjë. Prioriteti i tyre është të pasurohen më shumë”.

Pas 25 Prillit, opozita thotë se gjendja e shqiptarëve do të ndryshojë, pasi me votën e tyre ata do të zgjedhin një qeveri që nuk bën propagandë, por punon për njerëzit.

Tv Klan