Partia Demokratike akuzon qeverinë për abuzime me bonuset e qirave në Durrës, për familjet e prekura nga tërmeti.

Në një reagim për mediat, selia blu thotë se në zonën e Manzës janë dhënë 7 bonuse qiraje, nga të cilat 3 i ka marrë familja e kryetarit të Partisë Socialiste në fshatin Radë, Armand Basha.

Bashkia e Durrësit publikoi pak ditë më parë familjet që përfitojnë bonuset e qirasë për shkak të dëmtimeve të shtëpive të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Në media janë publikuar shpesh herë akuzat e banorëve të Durrësit dhe zonave përreth, më të goditurat nga tërmeti, se qeveria po i diskriminon ata banorë që njihen si kundërshtarë politikë, duke favorizuar deri në abuzim militantët e saj.

Një rast i tillë është provuar me Manzën. Ajo është një nga zonat më të godituar nga tërmeti, por shumë banorë vazhdojnë të flenë në çadra, ndërsa drejtuesit socialistë zhvasin bonuset e qirasë që nuk u takojnë.  Për Manzën janë dhënë 7 bonuse qiraje, 3 prej të cilave janë për familjen e kryetarit të Partisë Socialiste të fshatit Radë, Armand Basha. Ai është njëkohësisht shpërndarës i ndihmave në Manzë dhe pronar i firmës së ndërtimit “Armandi shpk.”. Siç tregon dokumenti, bonus qiraje ka përfituar edhe babai i kryetarit të PS, Hysni Basha, edhe ky ndërtues dhe gjyshi i kryetarit të PS, Murat Basha.

Të tre këta jetojnë në një shtëpi, por paratë për qiranë e kanë marrë sikur të jetonin të ndarë për arsyen e vetme se drejtojnë Partinë Socialiste në zonën e Manzës”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. /tvklan.al