Ministria e Shëndetësisë: Shpifje, kemi zbatuar ligjin

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se në kohë pandemie përmes një tenderi sekret 3.5 milionë dollarë të datës 21 Mars ka blerë me dyfishin e çmimit të tregut 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse spitalore. Ish-deputetja Albana Vokshi publikoi VKM e miratimit të kontratës dhe prova që sipas saj faktojnë skandalin e qeverisë.

“Pra me pakicë blihet 4 mijë lekë, ndërsa më shumicë Qeveria e blen nga kompanitë “FARMA NET dhe EUROMED” me 8 mijë lekë të vjetra”, tha ajo.

Ndërsa ish-deputeti Enkelejed Alibeaj publikoi dokumentacionin nga Dogana Shqiptare duke thënë se e njëjta skemë abuzimi është ndjekur edhe për mjetet e tjera mbrojtëse.

“Qeveria ka zhdoganuar me çmim 9.6 euro veshje spitalore me 1 përdorim dhe pas pak ditësh ka blerë me 28 euro 1 veshje. Pra Qeveria i ka blerë me rreth 3-fishin e çmimit real. Po kështu, mbrojtëset me 1 përdorim për sytë Qeveria i ka zhdoganuar me çmimin e tregut 2.9 euro, por i ka blerë me rreth 6 euro copën, 2fishin e çmimit real”.

Por Ministria e Shëndetësisë i ka cilësuar shpifje akuzat e opozitës duke u shprehur e hapur për çdo hetim. Sipas saj procedurat e ndjekura për blerjen e materialeve mbrojtëse për bluzat e bardha janë zhvilluar në  zbatim të legjislacionit në fuqi dhe se mbrojtja e mjekëve dhe infermierëve është prioritet në këtë kohë pandemie.

Tv Klan