Edhe pse në garën zgjedhore të 25 Prillit do të hyjnë në lista të veçanta, PD-ja dhe LSI-ja do të jenë në një koalicion të përbashkët.

Dy partitë më të mëdha të opozitës firmosën këtë të hënë marrëveshjen për koalicionin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen pas 56 ditësh.

Ishin dy liderët, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që nënshkruan firmat në marrëveshje.

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, tha se nga dita e sotme nis një udhëtim i përbashkët me qëllim ndryshimin e Shqipërisë.

“Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit. Tani ka ardhur çasti të bashkohemi, tani ka ardhur çasti të fitojmë së bashku për Shqipërinë, për familjet tuaja, për çdo shqiptar. Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet, dhe të garantojmë fitoren e 25 Prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të së cilës do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë familjet tuaja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, tha Basha.

Kryetarja e LSI-së siguroi se koalicioni me PD-në dhe aleatët e saj nuk do të jetë vetëm për fushatë. Ajo u shpreh se zgjedhjet e 25 Prillit janë mision kombëtar dhe një sinjal për të filluar një pranverë të re.

“Ky është partnership jo vetëm për të zgjatur gjatë fushatës. Edi Rama premton që do të hapë vende pune, por një njeri që krijoi kriza pa patur kriza imagjinoni se si mund ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Referendumi i 25 Prillit është mision kombëtar për t’i dhënë fund çdo sekti që kërkon të marrë peng të ardhmen e Shqipërisë. Sot bashkimi i LSI me PD dhe aleatët e saj është një sinjal për të filluar një pranverë të re, pranverën e fillimit, pranverën e emancipimit për t’i dhënë forcë votës së shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Para takimit u zbulua edhe slogani që LSI dhe PD do të përdorin për zgjedhje. “Shqipëria, shtëpia që fiton”, është slogani i opozitës së bashkuar për zgjedhjet e 25 Prillit.

Slogani i LSI-së dhe PD-së

Çfarë përmban marrëveshja PD-LSI

Dy partitë më të mëdha në vend kanë vendosur objektiva të përbashkëta në përballimin dhe zgjidhjen e problemeve kritike të vendit.

Po ashtu, në marrëveshje është përcaktuar edhe fakti për të konkurruar me dy lista të ndara. Qëllimi sipas opozitarëve është përfaqësimi sa më i plotë dhe sa më gjithëpërfshirës në kurorëzimin e fitores në zgjedhjet e 25 Prillit.

Janë gjithsej 13 pika në marrëveshjen që u firmos sot nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Ndër to preken problematikat me karakter ekonomik, përmbushja e kushteve për integrim, rivendosja e shtetit të së drejtës, aksioni për të frenuar shpopullimin, punësim i mirëpaguar, program për rininë, barazia gjinore, lufta kundër krimit të organizuar, zgjidhja e problemit me rindërtimin e banesave të dëmtuara dhe shkatërruara nga tërmeti, zgjidhja e pandemisë etj.

13 pikat e marrëveshjes:

1.Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes konçesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.

2.Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.

3.Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit,  çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.

4.Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.

5.Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.

6.Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.

7.Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.

8.Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.

9.Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proçes shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.

10.Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.

11.Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.

12.Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.

13.Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë./tvklan.al