Paloka: Mafia i jep 100 milionë Euro inceneratorit

Partia Demokratike thotë se djegia masive e plehrave në Manzë ishte një shfaqje e inskenuar e mafies së plehrave.

Ish-deputeti Edi Paloka përmes një konference për mediat tha këtë të enjte se ajo është një shfaqje e Ramës dhe Veliaj me synimin që të ccohen 100 milionë euro në inceneratorin e Sharrës. Prandaj e gjithë kjo situatë sipas tij është një skenar i mirëmenduar.

“Në kulmin e pandemisë, mbyllën venddepozitimin e mbetjeve në Porto Romano, përmes një tenderi të paracaktuar nga Edi Rama. Më pas, shpërndanë në disa vende të dukshme mbetjet e Durrësit. Pastaj, mafia e la Durrësin pa pastruar, në mënyrë që qytetarët të mërziten dhe të mos interesohen për aferën korruptive 100 milionë euro për largimin e plehrave nga qyteti. Dhe në fund, i dogjën plehrat publikisht, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore në Manzë, në një zonë që merr vëmendjen si nga Tirana, ashtu edhe nga Durrësi”.

Paloka tha se shteti shqiptar do t’i kalojë 100 milionë euro për plehrat e Durrësit në një kohë ku këtë situatë mund ta zgjidhte duke ndërtuar një landfill modern për të zgjidhur problemet mjedisore të qytetit.

“Që në fillim, inceneratorët e plehrave ishin një aferë mafioze, ndoshta më e madhja e qeverisë së Edi Ramës në këto 7 vjet. Me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, shqiptarët do t’u paguajnë 3 inceneratorëve, të Tiranës, Elbasanit dhe të Ferit, 500 milionë euro, gati aq sa mori borxh dje kreu i mafies së plehrave. Vjedhja e parave të shqiptarëve nuk do të zgjasë edhe shumë. Me marrjen e drejtimit të qeverisë, këto afera korruptive do t’i nënshtrohen verifikimit dhe paratë e vjedhura do t’u kthehen shqiptarëve. Mafia e Plehrave nuk ka për të vendosur më për shëndetin e shqiptarëve”./tvklan.al