“Projektligji e kthen Shqipërinë në parajsë të krimit të organizuar”

Partia Demokratike paralajmëron se pas ardhjes në pushtet do të shfuqizojë ligjin për amnistinë fiskale me efekt prapaveprues.

Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se nisma e qeverisë i ofron mbrojtje penale krimit të organizuar që do të deklarojë paratë e paligjshme.

“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, deklarojnë sot para shqiptarëve, para partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, dhe para subjekteve potenciale të këtij projekt-ligji, se nëse Kryeministri në ikje nuk tërhiqet nga ky ligji korruptiv, ne do të zhbëjmë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj”.

Sipas demokratëve drafti i qeverisë godet interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për llogari të krimit të organizuar dhe pushtetit të tij personal.

“Projekti i Kryeministrit në ikje për amnistinë fiskale e kthen vendin në parajsën e krimit financiar ndërkombëtar dhe madje në vendstrehim për persona që financojnë aktivitete terroriste. Çdo i huaj që ka një biznes në Shqipëri mund të deklarojë dhe të ligjërojë paratë e tij pa u pyetur për burimin e tyre”.

Selia blu e fton Kryeministrin Rama ta tërheqë menjëherë projektligjin, pasi sipas saj kjo nismë po e thellon kursin e përplasjes me partnerët strategjikë, SHBA dhe Bashkimin Europian.

Tv Klan