Opozita do të kallëzojë për shpërdorim detyre Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj lidhur me ekstradimin në Itali të Nezar Seitit. Gjatë interpelancës së thirrur me Ministren Gjonaj, demokratët argumentuan se ekstradimi i të dyshuarit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si financier i bandës së Habiljave, është bërë në shkelje të ligjeve vendase, për të mbrojtur ish-Ministrin e Brendshëm, Tahiri.

Në kundërpërgjigje, Ministria Gjonaj argumentoi se e gjithë procedura është ndjekur në zbatim të vendimit të Gjykatës dhe se nga ana e Prokurorisë nuk ka pasur asnjë kërkesë që e vë në dijeni se ndaj Seitit kishte nisur një hetim për llogari të autoriteteve shqiptare.

Por Alibeaj e cilësoi alibi argumentin e Ministres së Drejtësisë teksa publikoi dy letër porosi mes Gjonajt dhe Prokurosisë së Krimeve të Rënda, që sipas tij, faktojnë se Gjonaj ka qënë në dijeni të hetimeve të nisura për Nezar Seitin në Shqipëri.

Nezar Seiti u ekstradua në Itali për llogari të Prokurorisë së Katananias në 25 Janar. I dyshuari si financier i bandës së Habiljave u arrestua në Tetor të vitit të kaluar gjatë një aksioni në Babicë të Vlorës ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis.

Tv Klan