Partia Demokratike përmendi disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si të lidhur me narkotrafikun. Nënkryetari Edi Paloka tha se pas inkriminimit të policisë fshihet Kryeministri Rama, që sipas tij, i ka vënë drejtuesit në shërbim të biznesit të drogës.

Edi Paloka, Nënkryetar i PD-së:

“Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge.”

Opozita thotë se mes zyrtarëve të lartë në Policinë e Shtetit, të inkriminuar janë edhe Drejtori i Kufirit, Boge Budini dhe zëdhënësi i tij, Moisi Sula. Këtë të fundit, sipas Palokës, sigurojnë kalimin e lirë të mallit përmes Portit të Durrësit për në Itali.

Por në një reagim, Policia e Shtetit e ka cilësuar sulm dhe baltosje të punës së uniformave blu, deklaratën e opozitës. Policia e Shtetit fton Partinë Demokratike të denoncojë në Prokurori çdo informacion që zotëron për kultivimin e narkotikëve, si dhe për çdo person të implikuar. Kjo, sipas saj, ndihmon shumë më tepër sesa balta e hedhur përditë mbi Policinë e Shtetit./Tv Klan