“Ka mungesë transparence për familjarët dhe bizneset”

Për demokratët, paketa financiare e miratuar nga qeveria është e pamjaftueshme, për t’ju ardhur në ndihmë familjeve dhe bizneseve të prekura nga masat shtrënguese anti Covid-19. Jorida Tabaku akuzon maxhorancën dhe për mungesë transparence.

“17 ditë pas rëndimit të krizës, pse nuk ka ende një VKM për pagesat që u lajmëruan nga Qeveria?! Pse nuk bëhet e ditur lista e plotë e përfituesve nga kjo pagesë, që qytetarët të kenë mundësi të shohin nëse janë apo jo përfitues? Kush janë bizneset e vogla që përfitojnë? Kush janë personat qe do të marrin pagesë papunësie?  Kush janë personat qe do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike? Dua ta përsëris me forcë. Paketa sociale e miratuar nga Qeveria është e pamjaftueshme. Mijëra familje në nevojë apo biznese nuk përfitojnë prej saj”.

Sipas Tabakut janë 80 mijë biznese të mbyllura dhe 35 mijë nuk janë përfshirë në paketën sociale, ku nuk figurojnë dhe 70 mijë familje që iu është hequr skema ekonomike. Demokratët mendojnë se është detyrim ligjor i qeverisë të mendojë për çdo qytetarë dhe ndërkohë që çdo para e ardhur nga taksat duhet të vihet në shërbim të kësaj situate, duke u anuluar çdo transaksion tjetër.

Tv Klan