Partia Demokratike vijoi sërish sot akuzat për lidhjet e numrit dy të socialistëve Taulant Balla me Edmond Begon.

Kreu i deputetëve demokratë, Edmond Spaho, publikoi disa dokumente që sipas selisë blu provojnë se falë kësaj lidhje, Bego fitoi një tender 100 milionë lekë  të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Librazhd.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të PD, Edmond Spaho

Arrestimi i trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego, mik familjar i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është dëshmia më e freskët sesi Edi Rama ka kriminalizuar gjithçka, që nga zyra ku punon, deri tek paratë që u merr shqiptarëve me taksa gjithnjë e më të larta.

Partia Demokratike po publikon sot një provë zyrtare sesi buxheti i shtetit është vënë në shërbim të mikut kriminel të Taulant Ballës, i cili tha dje se nuk ishte përdorur si mburojë politike për ish anëtarin e bandës së Lushnjës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “Inerte Express”, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së taulant ballës, nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017.

Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Dokumentat tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd.

Kolegu im, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duhet t’u thotë shqiptarëve a ka bërë ai sekserin me OST-në, që miku i tij trafikant droge të fitojë një tender prej 100 milionë lekë?

Sa më shumë të heshtë Taulanti pa sqaruar çfarë e lidh atë me miqësi familjare me një trafikant të rrezikshëm droge, që autoritetet italiane e kanë dënuar me 21 vjet burg, aq më shumë forcohet bindja për rolin e Taulant Ballës si sekser të miliona eurove që ia merr shqiptarëve për t’i ndarë me trafikantin e drogës. /abcnews.al