Pak orë pas dorëheqjes së Elvis Rroshit dhe arsyeve të dhëna prej tij për dënimin kur ishte minoren, Partia Demokratike thotë se e vërteta për kryebashkiakun e Kavajës është edhe më tronditëse.

Në një deklaratë të shpërndarë nga kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka thuhet se në dëshminë e penalitetit të lëshuar nga Ministria Italiane e Drejtësisë, Elvis Rroshi është dënuar për “violenca carnale”, që do të thotë përdhunim.

Në dëshminë e penalitetit të lëshuar nga Ministria Italiane e Drejtësisë sqarohet se Roshi ka qenë i dënuar nga Gjykata  e Campobasos për minorenët, për dy krime të kryera më 18 Korrik të vitit 1992, kur ai ishte në moshën 16 vjeçare.

E para është përdhunim në grup, sipas nenit 519 të kodit penal italian dhe e dyta dhunë në grup, sipas nenit 581.

Më 15 Dhjetor të vitit 1994, dënimi me 1 vit e 4 muaj burg është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit për minorenët, po në Campobaso.

Duke konsideruar faktin se në momentin e krimit Rroshi ka qenë minoren, gjykata i lë mundësinë për dënim me kusht, sipas nenit 163 të kodit penal italian, në të cilin thuhet se kushtin e përfitojnë ata persona që janë nën moshën 18 vjeç në rastet kur dënimi është jo më shumë se 3 vjet burg.

Tv Klan