“Burokraci ligjore, aspak vështirësi për opozitën”

Opozita i ka gati firmat e nevojshme që i duhen për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale të 25 Prillit, proces që diktohet nga Kodi Zgjedhor pas djegies së mandatave dy vjet më parë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj.

Neni 68 i Kodit Zgjedhor, në pikën 1 të tij përcakton se një parti pa mandate në parlament duhet të dorëzojë 5 mijë firma për regjistrim, ndërsa një koalicioni i duhen 7 mijë të tilla.

Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore në selinë blu e cilëson një detaj burokratik mbledhjen e këtyre firmave për një forcë politike që numëron 110 mijë anëtarë aktivë.

“Është krejtësisht e lehtë për partinë më të madhe në vend që të mbledhë jo 5 mijë firma brenda ditës, por edhe 15 mijë firma të mbështetësve. Këtë formalitet burokratik e procedurial në momentin që është vërejtur se duhej plotësuar, brenda ditës është përmbushur”.

Por sa e përmbushi kauzën e saj opozita, duke lënë nga 18 Shkurti i 2019, karriget bosh në parlament?

“Efekti ndërkombëtar i njohjes së problematikave në Shqipëri, që djegia e mandateve i ekspozoi dhe ngriti kambanat e alarmit të faktorit ndërkombëtar, janë të pakrahasueshme me çfarëdo lloj procedure burokratike”.

Sfida e radhës, kur na ndajnë afro 3 muaj nga zgjedhjet e 25 Prillit, Kaso thotë se është detyrimi ligjor që KQZ ka për përdorimin e teknologjisë.

E nëse me identifikimin biometrik nga java që vjen nis edhe procedura për makineritë që do të përdoren pas ofertës së bërë nga kompania “Smartmatic”, e cila ofroi 20 milionë Euro, Kaso thotë se në limitet kohore është pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik në 20% të territorit.

“Jemi në limitet e afateve kohore. Të shfytëzohet çdo orë dhe minut disponibël”.

Mazhoranca kërkoi që projekti pilot të shtrihet në Bashkinë e Korçës dhe në disa njësi administrative në Bashkinë e Tiranës, ndërsa opozita në KZAZ e Korçës dhe atë të Fierit.

Tv Klan