Bardhi: Nuk do të paragjykohet asnjë kandidat

Ndonëse u lanë jashtë listave për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, shumë prej figurave me kontribut në Partinë Demokratike mund të jenë pjesë e përzgjedhjes si kandidatë përmes procesit të ri “një anëtar, një votë”.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi thotë se askush nuk do të jetë i paragjykuar nëse anëtarësia apo kryesia do të propozojë për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2021.

“Asnjë individ s’do jetë i paragjykuar. S’dua të hyj në emra konkretë pasi PD nuk lidhet me emra të përveçëm”.

Bardhi pohon se shumë prej themeluesve të Partisë Demokratike janë ftuar për të dhënë kontributin e tyre, mes të cilëve edhe Genc Ruli e Besnik Mustafaj.

“Basha është në kontakt me drejtues, ish-themelues, të marrin detyra e funksione të rëndësishme, por s’ka ende asnjë vendimmarrje. Fati që një individ humbi një ofiq s’do me thënë se PD është e përçarë.”

Por a e afekton procesi “një anëtar, një votë” përfshirjen e aleatëve të opozitës në listat e kandidatëve për deputetë, ndonëse disa prej tyre janë shprehur se do të garojnë më vete.

“Kjo çështje do diskutohet kur të firmosen marrëveshjet mes koalicioneve dhe s’ka të bëjë fare me procesin e brendshëm, kam dëgjuar që disa do dalin më vete, por s’ka lidhje si proces”.

Duke nisur nga dje, demokratët kanë nisur fushatën zgjedhore dhe përgatitja me burime njerëzore është faza e parë në betejën për zgjedhjet e radhës, që sipas opozitës duhet të mbahen paralelisht me ato lokale.

“Ju e dini qëndrimin tonë dhe 15 kushtet e BE, Shqipëria duhet të respektojë Kushtetutën dhe qeveria lokale është në paligjshmëri. Kemi besim të plotë tek Gjykata Kushtetuese”.

Demokratët presin ta përmbyllin procesin e brendshëm të kandidatëve për deputetë brenda muajit Shtator, ku për herë të parë lista do të kalojë nga filtri i një komisioni që do të bëjë edhe përzgjedhjen e propozimeve të anëtarësisë.

Sipas selisë blu, ky proces është përshëndetur edhe nga fondacioni i konservatorëve britanikë, që e ka quajtur jetik për demokracinë dhe model për rajonin.

Tv Klan