Mospjesëmarrja në fushatë përjashton kandidatët

Komisioni  Zgjedhor në Partinë Demokratike ka hapur zyrtarisht garën për kreun e ri të kësaj force politike, duke publikuar kriteret që duhet të plotësojë çdo kandidat.

Krahas kohëzgjatjes së anëtarësimit, kontributit profesional e politik, kriter përfshirës është edhe angazhimi i kandidatëve në fushata elektorale. Kush i përmbush këto kritere duhet të aplikojë deri më 22 Maj.

“Nëse nuk ka marrë pjesë në fushatë automatikisht është i përjashtuar, por nëse ka marrë pjesë ka një pikë të caktuar, sepse organizata politike këtë ka, sepse anëtarë të PD në regjistër mund të jenë dhe njerëz që janë emigrantë”, thotë kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana.

Gjana, i cili do të kryesojë Komisionin Zgjedhor hedh poshtë pretendimet e kundërshtarëve të Lulzim Bashës, se 12 ditë janë të pamjaftueshme për të bërë fushatë në 12 qarqet e vendit.

“1 ditë për 1 qark është e mjaftueshme. Kemi shtuar dhe një javë më shumë se sa fushata e vitit 2017. Këtë herë kemi bërë një fushatë 3-javore”.

Për të tretën herë radhazi në zgjedhje, demokratët do të votojnë përmes parimit “një anëtar një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga rregullorja e brendshme, që do të miratohet të dielën nga Kryesia.

Deri më tani kandidatët e vetëshpallur për kryetarë në zgjedhjet e 13 Qershorit  janë Lulzim Basha dhe Fatbardh Kadilli. Sakaq edhe Grupimi për PD-në ka deklaruar se do të dalë me një kandidaturë në këto zgjedhje.

Tv Klan