Partia Demokratike e konsideron premtim të pambajtur të Kryeministrit Edi Rama hapjen e aeroportit ndërkombëtar të Kukësit.

Në një reagim për mediat pas kryerjes së fluturimit të parë në këtë aeroport ku u ul aeroplani “Air Albania” me pasagjerë, PD thotë se aeroporti i Kukësit nuk është ndërkombëtar për arsye se nuk ka certifikata sigurie.

“Hapja e aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, premtim tjetër i pambajtur i Edi Ramës. Ulja e një avioni të Air Albania në Kukës s’u bë nga Londra, siç premtoi Rama, por nga Rinasi, sepse aeroporti s’ka certifikata sigurie. Me Ramën në krye të qeverisë, fluturimet ndërkombëtare në Aeroportin e Kukësit janë si hapja e negociatave me BE: Ato nuk ekzistojnë. Ky është eksperimenti i fundit që Rama bën me shqiptarët. Kryeministri më i dështuar dhe më i paaftë në historinë e vendit do të largohet në 25 prill nga shqiptarët që duan ndryshim”, thuhet në deklaratën e PD.

Por nga Kukësi Kryeministri shpjegoi edhe arsyen përse aeroplani i fluturimit nga Londra për në Kukës u ul fillimisht tranzit në aeroportin e Rinasit e më pas prej andej në Kukës.

Sipas Ramës, kjo për shkak se aeroporti i Kukësit konsiderohet operacional dhe sipas rregullave të aviacionit botëror, një aeroport operacional nuk konsiderohet ndërkombëtar që në fillim, dhe do të duhet që të kryhet një proces 50-60 ditë që më pas të nisin fluturimet ndërkombëtare. /tvklan.al