Partia Demokratike i ka dërguar kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar në zgjedhjet e 25 Prillit. Selia blu është e detyruar që të dërgojë kërkesën e saj për regjistrim për shkak se deputetët e saj dogjën mandatet.

“Mbështetur në ligjin nr. 15019 datë 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë neni 64, Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve regjistrimin e saj si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 25 Prill 2021.

Në përputhje me kërkesat e dispozitës së sipërpërmendur të Kodit Zgjedhor, së bashku me kërkesën tonë për regjistrimin po ju paraqesim:

Vërtetimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, datë 02.02.2021 i cili konfirmon se me urdhrin e Ministrit të Drejtësisë është miratuar krijimi i Partisë Demokratike dhe ky dokumentacion është i depozituar në zyrën e regjistrimit të Partive Politike.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është personi i vetëm që mund të paraqesë në emër të Partisë Demokratike, listat shumëemërore të kandidatëve për deputet”, thuhet në shkresë.

Kodi Zgjedhor thekson se partitë politike duhet të paraqesin kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve./tvklan.al