PD i dorëzon Prokurorisë dokumentet për Valdrin Pjetrin

PD i dorëzon Prokurorisë dokumentet për Valdrin Pjetrin

18:26 14/08/2019

Partia Demokratike i ka dorëzuar Prokurorisë të dhënat që disponon për dënimin në Itali të Valdrin Pjetrit, një ditë pasi i publikoi për mediat.

Në komunikimin që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ka patur me Prokurorinë, Gazment Bardhi thotë se organi i akuzës nuk ka reaguar 13 ditë më parë kur selia blu kërkoi verifikimin e Valdrin Pjetrit sipas ligjit të Dekriminalizimit.

“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit”, thuhet në komunikimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD me Prokurorinë e Përgjithshme.

Gazment Bardhi i kërkon Prokurorisë që ta mbajë të informuar Partinë Demokratike dhe opinionin publik për procedurat e verifikimit të figurës së kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës.

“Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Në dokumentet që publikoi PD, Valdrin Pjetri rezulton se në 12 Qershor 2003 u dënua nga gjykata italiane me vendim të formës së prerë me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë për shpërndarje, prodhim dhe trafik të lëndëve narkotike.

Pas publikimit të këtyre të dhënave, Edi Rama reagoi duke thënë se rrugët e PS dhe të Valdrin Pjetrit janë të ndara, deri sa Prokuroria të verifikojë këto informacione. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT