“Janë paguar 25 mln Euro për një karabina”

Partia Demokratike ka vijuar ta denoncojë si korruptiv procesin e ngritjes së inceneratorëve të përpunimit të mbetjeve. Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku ishte në Sharrë, ku deklaroi se inceneratori i Tiranës është një histori e pastër vjedhje dhe abuzimi me pushtetin.

Kompania që ka marrë në menaxhim inceneratorin e Tiranës u krijua vetëm një ditë përpara se ta merrte këtë koncesion. Kostot e këtij inceneratori po i paguajnë qytetarët e Tiranës. Paguajnë nga buxheti i shtetit çdo ditë. 25 milionë euro janë paguar për atë karabina atje e për atë mal plehrash, ndërkohë që do të paguhen edhe 400 milionë euro të tjera”, tha Tabaku.

Por sipas selisë blu kjo aferë thellohet edhe më tej me detyrimin që mbetjet e Tiranës dhe Durrësit të depozitohen në këtë incinerator, kundrejt pagesës së një shume të konsiderueshme që paguhen nga qyetarët nëpërmjet taksës së pastrimit.

“Bashkë me qytetarët e Tiranës që paguajnë një tarifë më të lartë pastrimi, edhe Bashkia e Durrësit është detyruar që të derdhë këtu mbetjet. Këto fugona pastrimi që vijnë pas meje, që vijnë nga Durrësi dhe i derdhin këtu mbetjet, i kushtojnë qytetarëve të Durrësit 14 milionë euro nga buxheti i tyre”, shtoi ish-deputetja.

Partia Demokratike bën të ditur se ka analizuar të gjitha dosjet e këtyre kontratave konçesionare dhe do t’i çojë ato përpara drejtësisë.

Tv Klan