S’ka ende dakordësi për reformën zgjedhore

Mbledhja e sotme e këshillit politik për reformën zgjedhore nuk ka prodhuar dakordësi mes palëve, edhe pse ka vijuar për 3 orë.

Në fokus të diskutimeve ka qenë përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, një kërkesë kjo e Partisë Demokratike.

Përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, thotë se kompromisi nuk është arritur në këtë pikë.

“Akoma nuk kemi gjetur kompromisin për 2-3 gjëra. Së pari deri ku do të shtrihet zbatimi i teknologjisë. PD institon tek e saj. Së dyti kemi problemin e cështjes së administratës zgjedhore ku dhe këtu ka një rekomandim të ODIHR ku duhet të gjejmë një formulë alternative të depolitizimit të administratës. Për çështjet e tjera që vazhdimisht i ka kërkuar PD, janë garanci të dhëna”.

Ndërsa përfaqësuesi i PD Oerd Bylykbashi deklaroi se do të jetë e vështirë arritja e një konsensusi nëse nuk ka dakordësi nga mazhoranca për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.

“Refuzimi nga mazhoranca bën të pamundur arritjen e çdo konsensusi. Pa arritur konsensusi mbi këto çështje është e pamudur që të shkohet më tej. Nëse PS do reflektojë dhe do heqë dorë nga taktikat zvarritëse, i hapet rruga kompromiseve të tjera për të cilat ne jemi gati që të ecim me dakordësi”.

Partia Demokratike propozoi sot që të përfshihet edhe Gjykata Kushtetuese në procesin zgjedhor. Sipas mazhorancës, kjo mund të bjerë ndesh me punën e Kolegjit Zgjedhor. Megjithatë, për këtë pikë ekspertët po shqyrtojnë këtë propozim të opozitës dhe më pas pritet që këshilli politik të mblidhet sërish. /tvklan.al