“Goditja e krimit elektoral, test për organet e reja të drejtësisë”

Kur flasin për qeveri kujdestare në zgjedhje, demokratët përjashtojnë çdo mundësi bashkëqeverisje me socialistët. Në një konferencë për shtyp, ku prezantuan tre paketat e opozitës kundër krimit zgjedhor dhe ndarjes së politikës nga krimi, një ditë pas dorëzimit të tyre në Komisionin e Reformës Elektorale, ekspertët demokratë thonë se në përbërje të qeverisë kalimtare duhet të jenë figura me integritet, pa u ndalur në emra konkretë.

Nuk heqin dorë nga ky kusht dhe duan edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga detyra, 100 ditë para zgjedhjeve. Model të ngjashëm thonë se ka edhe Maqedonia.

Në funksion të parandalimit dhe ndëshkimit të krimeve elektorale, opozita propozon rikthimin e policisë jashtë qendrave të votimit, si dhe kompetenca shtesë për organet e reja të drejtësisë, të akuzuara prej tyre se janë vënë në shërbim të Kryeministrit. Për demokratët, ky është testi që do të duhet të kalojnë në raport me zbatimin e ligjit organet e reja të drejtësisë.

Një ndër propozimet e opozitës është edhe ndëshkim për ata që shesin votën. Opozita propozon që në funksion të garantimit të sekretit dhe lirinë e zgjedhësve brenda qendrave të votimit të vendosen kamera, si dhe dekriminalizimi të shtrihet deri tek stafet e subjekteve elektorale.

Gjithashtu kërkohet ngritja e një regjistri kombëtar që do të dokumentojë dhe referojë çdo denoncim nga qytetarët, që mund të shërbejë për agjencitë ligjzbatuese dhe të aksesohet nga KQZ në funksion të pavlefshmërisë ose jo të zgjedhjeve.

Tv Klan