PD kallëzon në SPAK Ramën, Ahmetajn dhe Veliajn për inceneratorët



PD kallëzon në SPAK Ramën, Ahmetajn dhe Veliajn për inceneratorët

11:56 19/10/2020

Padi edhe për ish-ministrin Lefter Koka dhe Klodian Zoton e Mirel Mërtirin

Partia Demokratike ka paditur në SPAK qeverinë për inceneratorët. Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku deklaroi se kanë dorëzuar dokumente zyrtare të KLSH-së dhe Ministrisë së Financave që faktojnë shkeljet që selia blu ka akuzuar prej kohësh qeverinë.

Ndërkohë sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, tha se është ngritur padi kundër kryeministrit Rama, ministrit Arben Ahmetaj, ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Gjata tha se ata janë trajtuar si grup i strukturuar kriminal.

“Janë të gjithë. E kemi trajtuar si grup i strukturuar kriminal. Edi Rama, Ahmetaj, Lefter Koka, Erion Veliaj, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri. Pra krijohet kompania që fiton pa përvojë, bëhen me dhjetëra vendime qeverie që duhen muaj të tërë kalojnë për një ditë. Këta persona kanë kompani të tjera të regjistruar në parajsa fiskale. Këta persona kanë biografi të tmerrshme me kompanitë e tyre dhe vijnë në Shqipëri fitojnë tenderin në kundërshtim me ligjin”, tha Gjata.

Në kallëzimin e saj PD-ja i akuzon këta persona për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, dhe grup i strukturuar kriminal.

“Kallëzim i veprës penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, e parashikuar nga neni 28 i Kodit Penal, Krijimi i grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 28 i Kodit Penal. Marrjen e masës së sigurimit personal ndaj të kallëzuarve të pezullimit të ushqimit të detyrës publike, të parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale“, thuhet në kallëzim.

/tvklan.al







Të ngjashme