Padia për Ramën, Veliajn, Ahmetajn dhe Kokën

Partia Demokratike kallëzoi në SPAK, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin Arben Ahmetaj, ish-Ministrin Lefter Koka, kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe sipërmarrësit Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Kallëzimi është bërë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Sipas demokratëve kjo është një aferë korruptive që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 430 mln euro.

“Kjo është një çështje korruptive duke nisur që nga procedurat, duke vazhduar me kontratën e duke përfunduar me zbatimin e kontratës. Kostot për buxhetin e shtetit ashtu siç janë të llogaritura në denoncimin që ne çuam sot në SPAK janë mbi 430 milionë euro vetëm për inceneratorin e Tiranës sepse ne sot këtu denoncuam inceneratorin e Tiranës”.

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, thotë se prej 3 vitesh janë bërë denoncime, por prokuroria nuk ka reaguar.

Ka tre vjet që bëhen denoncime pothuajse të përditshme në media. Ka edhe gazetarë investigativë që kanë nxjerrë gjithë ato fakte, pa folur për agjenci gazetareske të cilat kanë nxjerrë skandale pas skandalit sa i takon këtyre tre inceneratorëve. Përse duhet të pres SPAK, Prokuroria apo cilido institucion ligjzbatues hetimor, ndjekës i veprimeve kriminale, pse duhet të presë patjetër një denoncim formal?”

Por ky nuk është kallëzimi i parë në SPAK për inceneratorët. Në muajin Qershor ishte Nisma Thirrje që depozitoi kallëzimin e parë madje duke përfshirë edhe inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit. Mësohet se SPAK e ka regjistruar kallëzimin dhe ka nisur verifikimet lidhur me procedurat e ndjekura duke u kërkuar informacione disa institucioneve përfshirë edhe kontrollin e lartë të shtetit.

Tv Klan