Dega e Partisë Demokratike në Elbasan ka kallëzuar në SPAK, kreun e grupit parlamentar socialist, njëkohësisht drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit, Taulant Ballën. Sipas një deklarate thuhet se PD ka depozituar në prokurori prova konkrete se si shtabi i tij intimidon personat që marrin ndihmë ekonomike përmes telefonatave.

“Taulant Balla është mësuar që të bëjë edhe shkelje më të rënda se kjo për të cilën është kallëzuar në SPAK, dhe t’ja hedhë, sepse ka pasur mbrojtjen e Edi Ramës. PD ka depozituar prova konkrete se si “Shtabi i tij i Peshkut” intimidon personat që marrin ndihmë ekonomike, përmes telefonatave. Taulant Balla nuk del dot në qytet, dhe nuk mund të shfaqet para qytetarëve për shkak të mashtrimeve elektorale dhe abuzimit me pushtetin, ndaj vepron me metoda presioni ndaj qytetarëve në nevojë”, thuhet në deklaratë.

PD paralajmëron publikimin e provave që ka dorëzuar në prokurori. Sipas selisë blu, Balla do të jetë subjekt i drejtësisë pas 25 Prillit.

“Deklaratat që burojnë nga dëshpërimi i humbjes së sigurtë, dhe nga angazhimi që kemi për të hetuar aferat korruptive sapo të vijmë në pushtet, le t’i mbajë për t’u ngushëlluar edhe këto pak ditë që i kanë ngelur. Pas 25 Prillit, Taulant Balla do të jetë një subjekt i drejtësisë, pasi të jetë ndëshkuar me votën masive në gjithë Qarkun e Elbasanit, dhe pasi të mos ketë bablok që e mbron para ligjit”. /tvklan.al