“Afera korruptive, ka kushtuar 23 milionë Euro”

Partia Demokratike ka depozituar në SPAK një tjetër kallëzim në lidhje me inceneratorët.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Endri Hasa së bashku me sekretarin për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, kanë depozituar kallëzim për inceneratorin e Elbasanit ku kanë paditur, kryeministrin Edi Rama, ministrin Arben Ahmetaj, ish-ministrin Lefter Koka dhe sipërmarrësen Stela Gugallja.

Sipas Partisë Demokratike ndërtimi i këtij inceneratori është një aferë e pastër korruptive pasi i ka kushtuar buxhetit të shtetit 23 milionë euro.

Partia Demokratike ka kërkuar nga SPAK të kryejë hetime, pasi ky incenerator duhet të prodhonte 313 ditë energji elektrike në vit, por në të vërtetë ka prodhuar vetëm 8 ditë, duke mos zbatuar kontratën.

Një ditë më parë, Partia Demokratike kallëzoi në SPAK, kryeministrin Edi Rama, ministrin Arben Ahmetaj, ish-ministrin Lefter Koka, kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe sipërmarrësit Klodian Zoto e Mirel Mërtiri për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Sipas selisë blu këta persona kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal pasi i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 430 milionë euro.

Tv Klan