“Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, të dënohet”

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, që dënohet deri në 4 vjet burgim.

Në kallëzimin e depozituar në SPAK, selia blu thotë që, nga evidenca e shërbimit të oficerit të policisë në 30 janar të 1999, rezulton se Qerim Ismailaj ishte thirrur sipas ligjit për t’u paraqitur në gjykatën e Kios, për veprën penale të përleshjes, ku ka marrë dijeni për akuzën.

Demokratët thonë se, kjo provon që ai ka patur dijeni për gjykimin dhe dënimin me 3 vite burg në shtetin grek, por e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

Pak javë më parë KQZ-ja konfirmoi në detyrë Kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, me argumentin se në raportin e sjellë nga Prokuroria për veprën penale “të përleshjes” në Shqipëri, Ismailaj do ishte dënuar vetëm me gjobë, pasi korrespondon në kodin tonë penal me veprën, “dëmtime të tjera me dashje”.

Tv Klan