Padi edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile

Partia Demokratike ka dërguar një padi në SPAK ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.

Selia blu akuzon Lleshajn dhe Doracajn se po ndryshojnë vendbanimet e qytetarëve pa kërkesën e tyre me qëllim që të manipulojnë listat e votuesve për zgjedhjet e ardhshme.  

Sipas PD-së janë kryer të paktën 3 vepra penale: falsifikim i dokumenteve, shpërdorim i detyrës dhe shkelje e të drejtës së zgjedhjes.

“Rastet e denoncuara nga shtetas të ndryshëm për një periudhë rreth 2 javore mbi ndryshimet e vendbanimeve, pa dijeninë e tyre, tregojnë për tentativat për të manipuluar listat e zgjedhësve shqiptarë nga personat përgjegjës, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”, thuhet në padi.

Në padinë e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem me qëllim ndryshimin e adresës së vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qytetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit.

Në kallëzim thuhet se SPAK duhej të kishte nisur vetë një hetim për këtë çështje, megjithatë thekson se “e paraqet këtë kallëzim, si mundësi ligjore e ushtrimit të përgjegjësive në mbrojtje të interesit publik. Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë të diktuar nga interesi i lartë që është cënuar dhe preket në këtë rast, duke qenë se jemi përpara akteve të rrezikshme që do të cënonin transparencën e procesit zgjedhor dhe lirinë e zgjedhjeve, si parime bazë të demokracisë”.

Më herët, Lleshaj ka hedhur poshtë akuzat e selisë blu, duke i cilësuar ato trillime, pasi sipas tij nuk po ndodh asnjë ndryshim me qendrat e votimit./tvklan.al