Pas ndalimit nga policia të vëllait të shefit të komisariatit të Dibrës, Bert Aga, me kokainë, ka reaguar Partia Demokratike.

Në një deklaratë të saj, PD thotë se Aga ka mbështetjen e Kryeministrit dhe të Ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu  kjo forcë politike i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë për faktet e paraqitura për krimin zgjedhor, dhe për implikimin e Agës në trafikun e drogës.

“Karteli i drogës së Dibrës doli më në pah dy ditë më parë kur prokuroria ndaloi vëllain e shefit të komisariatit të Dibrës, Bert Aga, me një sasi droge të fortë, të llojit kokainë.

Ndërkohë që ai kapet me kokainë, vëllai po korr parcelat e veta me kanabis në Dibër dhe po ofron mbrojtjen e nevojshme për bandat e tjera që dhanë kontribut në zgjedhjet e 11 Shtatorit.

Megjithë këto implikime të drejtpërdrejta në trafikun e drogës, Aga, ose agai i kanabisit në Dibër vazhdon të jetë në detyrë dhe ka mbështetjen e Tahirit dhe Edi Ramës.

Aga është po ashtu në krye të grupit të strukturuar që prishi zgjedhjet në Dibër, i kallëzuar në prokurori nga Partia Demokratike me 1 Shtator.

Partia Demokratike i bën thirrje prokurorise të hetojë për faktet e paraqitura për krimin zgjedhor, dhe për implikimin e Agës në trafikun e drogës.

Ne e dimë pengesën që has organi i akuzës, pasi kreu i kartelit të drogës së Dibrës ka mbrojtjen e Tahirit dhe Ramës, por ndalimi i vëllait me kokainë është thjesht një hap.

Hetimi dhe veprimet e plota duhet të shkojnë tek kreu i kësaj organizate që është pikërisht shefi i komisariatit të Dibrës.

Karteli i drogës nuk mundet dhe nuk do t’i shpëtojë dot ligjit, edhe nëse mbrohet deri në fund nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama.”/tvklan.al