“Maxhoranca po kërkon të copëtoje procesin”

Demokratët e shohin në shkelje të Kodit Elektoral propozimin e socialistëve për të pilotuar vetëm votimin elektronik në zgjedhjet e 25 Prillit në Bashkinë e Korçës dhe në disa njësi administrative në Bashkinë e Tiranës. Eksperti i teknologjisë, njëherazi anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, Endri Hasa thotë se maxhoranca po kërkon copëtim të procesit, që bie ndesh jo vetëm me dakordësinë e arritur në këshillin politik, por dhe vetë përcaktimet ligjore të kodit elektoral në nenin 179/1.

“Të thuash të bëhet në disa zona në Tiranë është thjeshtë një copëzim sepse nuk kemi më përcaktimin e Kodit në një zonë zgjedhore. Tirana si qark e kalon mbi 20 përqind të zgjedhësve të Republikës së Shqipërisë. Duke qenë mbi 20 përqind bëhet e pamundur që ti të prodhosh një rezultat të plotë zgjedhjesh nga sistemi i votimit elektronik. Në rastin konkret, ata edhe në Korçë kanë thënë Bashkia Korçë, jo Qarku Korçë”.

Opozita e sheh kërkesën e maxhorancës si tentativë për të zvarritur procesin.

“Unë shpresoj që të gjendet një kompromis i shpejtë dhe procesi të vazhdojë mbi bazat dhe në shinat e Kodit Zgjedhor”

Hasa kërkon gjithashtu nga qeveria që pa vonesë të lëvrojë edhe fondin për identifikimin biometrik në zgjedhjet e 25 Prillit.

Sakaq KQZ-ja po shqyrton dokumentacionin e të vetmes kompani, asaj “Smartmatic”, që ka shfaqur interes për sistemin e identifikimit elektronik, e cila ka kërkuar afro 20 milionë euro për zbatimin e projektit.

Tv Klan