Qerim Ismailaj: Nuk jam ndaluar asnjëherë

Partia Demokratike i kërkon zyrtarisht Prokurorisë të verifikojë të shkuarën e kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili sipas saj ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik. Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi thotë se kryebashkiaku Ismailaj ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur një arrestim në Greqi.

“Sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj, rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik. Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dënuar dhe dëbuar në periudhën 1999-2000”.

Këto akuza janë hedhur poshtë nga Ismailaj, i cili është shprehur i gatshëm për çdo verifikim nga organi i akuzës.

“Jam i hapur për çdo verifikim të mundshëm. Unë kam deklaruar formularin e Dekriminalizimit. Në Shtator të 1999 kam filluar mësues në shkollë. Nuk jam ndaluar në asnjë rast. Unë kam motrën në Greqi, ka pasur sebepe familjare, ky është rasti që kam qenë në Greqi”.

Por Partia Demokratike thotë se disponon prova për të kundërtën.

“Dua t’i drejtoj një pyetje publike se çfarë i kujton Edi Ramës së Mallakastrës data 25 Shkurt 2000”?

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të veprojë menjëherë dhe të mos sorrollasë me veprime të pajustifikuara procedurat e verifikimit për Ismailajn si dhe për kryebashkiakët e tjerë të akuzuar nga opozita për të shkuar kriminale.

Tv Klan