Ka qenë i arrestuar dhe dëbuar nga Italia në 2001-2002

Teksa pret të ulet në karrigen e kryetarit të ri të Bashkisë së Shkodrës, demokratët i kërkojnë prokurorisë të nisë menjëherë verifikimin e figurës për socialistin Valdrin Pjetri.

Duke iu referuar formularit të vetëdeklarimit të bërë nga Pjetri, i cili ka mohuar të ketë qenë i dëbuar nga ndonjë shtet i huaj, Partia Demokratike thotë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar në vitin 2001-2002, në Firence të Italisë dhe më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet italiane.

Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, PD thotë se rezulton që Valdrin Pjetri nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë nga viti 2002 – deri në 23 Mars të 2010, çka sipas saj përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.

Në kërkesën që Sekretari  i Përgjithshëm i Partisë Demokratike i ka drejtuar organit të akuzës thuhet se nga të dhënat e bëra publike ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Valdrin Pjetri ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për tu zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak te ligjit të dekriminalizimit.

Kërkesa e PD-së drejtuar Prokurorisë i është vënë për dijeni edhe Ambasadës së SHBA-së, BE-së, OSBE-së e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Tv Klan