Partia Demokratike pretendon se Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm kanë favorizuar me ardhjen në pushtet kompanitë e bixhozit të vëllezërve të tyre. Me shifra Enkelejd Alibeaj tregon sesi janë rritur në mënyrë progresive fitimet e kompanive të basteve, pas të cilave ai thotë se fshihet Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafës.

“Kompania e bixhozit të vëllait të Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj dhjetëfishoi të ardhurat nga 1 milionë euro në 10 milionë euro, pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Pasuria marramendëse që ndan me krimin e organizuar e detyron Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën të refuzojnë vetting-un e politikanëve”.

Pas akuzave të dy ditëve radhazi, demokratëve i është përgjigjur Drejtori i Komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga. Ai i quan akuza në hava dhe gënjeshtra ato çka për PD përbëjnë prova se të afërmit e Kryeministrit dhe ministrit Xhafaj drejtojnë krimin e organizuar dhe pasurohen me para të pista.

“Asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online, siç shpif PD-ja. Në datë 31 Dhjetor të këtij viti, duke mbajtur zotimin e dhënë dhe të sanksionuar në ligj si afati i fundit për kompanitë, nuk do të ketë më asnjë kompani lojërash fati brenda territorit të qyteteve. Nëse gjatë qeverisjes së PD-së ekzistonin 40 kompani të tilla dhe arkëtoheshin nga shteti 37 milionë dollarë, sot numri i kompanive është përgjysmuar dhe të ardhurat në buxhet nga aktiviteti i tyre janë pothuajse dyfishuar. Kompanitë për të cilat opozita baltos qeverinë kanë rinovuar licencat e tyre, ose kanë marrë licenca të reja, gjatë viteve kur në qeveri ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha”.

Duke folur në emër të qeverisë, Fuga thotë se shumë shpejt do të jetë gati projekti i ri ligjor për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare edhe industrisë së basteve dhe për kufizimin e fortë të tyre.

Tv Klan