PD: Kompania kroate fitoi tenderin korruptiv për kontrollin e faturimit mbi biznesin

PD: Kompania kroate fitoi tenderin korruptiv për kontrollin e faturimit mbi biznesin

13:35 30/10/2018

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, nënkryetare e komisionit të ekonomisë, nga selia blu doli të konfirmonte, atë çka 5 javë më parë e paralajmëroi nga e njëjta sallë.

 

“Qeveria e Edi Ramës e kishte paracaktuar fituesin kroat të tenderit korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin.

 

Sot, paralajmërimi ynë është bërë realitet. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret”, u shpreh Tabaku.

Tender korruptiv me garë fasadë sipas demokratëve sepse për ta, ishin kriteret e tenderit që iu  përshtatën kompanisë kroate dhe jo anasjelltas si e do rregulli.

“Kjo qeveri jo vetëm ka pafytyrësinë t’i shkojë deri në fund një tenderi të denoncuar si korruptiv, por po e shet Shqipërinë me copa tek klientë që kanë mbajtur në këmbë pushtetin e inkriminuar dhe të korruptuar të Edi Ramës”, tha deputetja e PD-së.  

Kostoja prej 15 milionë eurosh nuk është fatura e vetme që do të paguajnë shqiptarët për këtë tender korruptiv, thekson deputeti demokrat Endri Hasa.

“Monopoli që vulosi qeveria, me një faturë skandaloze për bzineset, 80-100 milionë euro, detyron çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisje te reja fiskale, që do të punojnë sipas kërkesave që do të përcaktojnë kroatëve, kur të ndërtojnë sistemin e ri”, tha Hasa.

Kjo do të thotë se bizneset do të duhet të hedhin në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzustuese, për t’i zëvendësuar ato kundrejt një pagese që kap shifrat 600 deri në 1000 euro me sistemin e kroatëve, sipas Hasës.

“Ftoj çdo ekspert të IT apo Ekonomisë të përllogarisë vetë kostot. Do të zbulojë fare lehtë që ky shpenzim do të jetë realisht më i lartë, po të llogariten kostot e tjera që kanë të bëjnë me stafin dhe infrastrukturën e nevojshme për të transmetuar në kohë reale në sistem çdo shitje”, tha deputeti.

Ky sistem cënon konkurencën e ndershme në treg, thekson selia blu, pasi i jep mundësi individëve të pakontroluar të kenë akses në informacione komerciale, industruale, produktet apo xhepin e çdo tatimpaguesi. Partia Demokratike njoftoi se po merr informacionin e nevojshëm për të zbuluar kush qëndron prapa kësaj kompanie./abcnews.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT