Partia Demokratike akuzoi qeverinë se përmes projektligjit të Koorporatës së Investimeve po tenton të grabisë pronat publike duke ia dhënë ato oligarkëve. Në një dalje për mediat ish-deputetja Jorida Tabaku e cilësoi nismën e maxhorancës korruptive, antikushtetuese dhe që bie ndesh me autonominë e pushtetit vendor.

“Korporata e Investimeve përjashtohet nga ligji i Prokurimeve Publike. Pasuria i kalon pa asnjë procedurë atij me të cilin Edi Rama do që të bëjë pazar. Korporata e Investimeve është e lirë të marrë kredi, e pakontrolluar nga askush dhe në rast të mosshlyerjes së saj, të humbasë pronën publike që do të vendosë si garanci. Për pasojë, me lejen e Edi Ramës, prona publike i kalon menjëherë bankës, duke realizuar kështu tjetërsimin e pronës publike nga shteti tek privati. Ligji është një skemë gjigande korrupsioni, sepse parashikon daljen në bursë të pronave publike të Korporatës.”

Sipas demokratëve ligji për koorporatën e investimeve zhduk  konkurrencën e lirë dhe cenon marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Demokratët paralajmëruan anulimin e këtij ligji nëse ai do të votohet në parlament.

Tv Klan