Qeveria largoi investimet amerikane

Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve, Partia Demokratike e sheh si dëshmi të korrupsionit qeverisës që ka përfshirë vendin. Ish-deputetja Jorida Tabaku thotë se ky fenomen ka ndikuar në ikjen e investitorëve amerikanë dhe mbylljen e vendeve të punës, duke e renditur Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Europë e Rajon.

“Shqipëria konsiderohet nga bizneset amerikane si vendi më pak i përshtatshëm si pasojë e korrupsionit. Tenderët dhe koncesionet dhe kontratat korruptive të PPP-ve janë kthyer në kryefjalën e shqetësimeve të çdo sipërmarrësi vendas apo të huaj. Këto kontrata prishin dhe shkatërrojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme, pasi hartohen duke patur parasysh vetëm përfitimin personal të qeveritarëve.”

Sipas demokratëve investimet që do të mundësonin më shumë punësim janë frenuar për shkak të politikave monopoliste në favor të klientëve që ka ndjekur qeveria.

“Sot më shumë se kurrë është e domosdoshme që vendi të çlirohet nga prangat e një monopoli vrastar për ekonominë dhe qytetarët. Shqiptarët kanë nevojë për punësim, që kjo qeveri ua mohoi për 7 vite me radhë”.

Për t’i dhënë frymë punësimit, selia blu thotë se në bazë të programit të saj ka konkurrencën e lirë dhe rikthimin e taksës së sheshtë 9%, që do të rrisë investimet e huaja dhe vendase.

Tv Klan