Partia Demokratike ka ngritur sërish akuza ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe deputetëve socialistë për manipulim të zgjedhjeve. Ish-deputeti demokrat Endri Hasa deklaroi se në Elbasan janë gjetur më shumë vota në kuti se votues. Sipas tij, kjo është dhe arsyeja pse Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Denar Bibës nuk i dalin llogaritë dhe që prej 5 ditësh pas mbylljes së numërimit, nuk janë publikuar të dhënat për çdo qendër votimit. Ai i cilësoi zgjedhjet në Elbasan, si qytetin simbol të manipulimit të procesit të zgjedhjeve.

“Rezultati i Bashkisë së Elbasanit është simboli i manipulimit dhe falsifikimit të 30 Qershorit. Qytetarët janë njohur sot me faktin skandaloz se kandidati i Partisë Socialiste në Elbasan ka më shumë vota sesa numri i fletëve në kutitë e votimit. Nuk janë 100 apo 200 vota. Janë 2861 vota për Edi Ramën më shumë në Elbasan, sesa fletë votimi të gjendura në kuti. Komisioni Qendror i Vjedhjeve falsifikoi një dokument posaçërisht për Taulant Ballën dhe Partinë Socialiste, në mënyrë që banditët me kollare të Edi Ramës të bënin propagandë, duke falsifikuar të vërtetën”.

Më herët në përgjigje të akuzave të opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhje ka sqaruar përse të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 Qershorit gjatë asaj dite nuk përputhen me të dhënat zyrtare dhe përfundimtare, të bëra publike në datën 1 Korrik.

Mospërputhja, sipas këtij institucioni, vjen se të dhënat janë paraprake dhe merren me telefon nga sekretaret e qendrave të votimit që ia përcjellin KZAZ-të e këto të fundit, njoftojnë paraprakisht po me telefon mbi shifrat e pjesëmarrjes. Për shkaqe objektive që lidhen me ngarkesën që kanë sekretarët e Qendrave të Votimit apo qoftë neglizhenca në disa raste, argumenton KQZ, nuk mund të pretendohet të ketë saktësi maksimale. Edhe pas orës 19:00, kur mbyllen këto qendra dhe bëhet raportimi i fundit, përsëri të dhënat janë paraprake, pasi ende nuk është bërë shqyrtimi i dokumentacionit ku janë të dhënat mbi pjesëmarrjen.

Tv Klan