PD: Rama varros hetimet për Dosjen 184

PD: Rama varros hetimet për Dosjen 184

14:22 21/08/2019

Partia Demokratike ka akuzuar këtë të mërkurë kryeministrin Edi Rama dhe Prokurorinë e Krimeve të rënda se kanë varrosur hetimet për vjedhjen e zgjedhjeve duke kaluar dosjen 184 në prokurorinë e Dibrës.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë.  Sot, media zbuloi vendimin skandaloz për të varrosur dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër. Pasi bllokoi për 3 vjet hetimin e dosjes 184, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i saj, duke vendosur në fshehtësi moskompetencën.”

Në një dalje për mediat nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, tha se pasi u dështoi plani i mbylljes së hetimeve në heshtje dhe pa transparencë, kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Heqja dorë nga hetimi prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda është skenari që i siguron paprekshmëri Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Pjerin Nderut, Ulsi Manjës, Arben Keshit, Dionis Imerajt, Valbona Sakos dhe të gjithë bandës së partisë në pushtet, të kapur në flagrancë me përgjime të ligjshme të vetë prokurorisë.”

“Heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAKU-t, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje tek SPAK-u…Mbyllja e dosjes 184 duke e varrosur atë në Dibër, larg vëmendjes publike, nuk ka për ta shpëtuar Edi Ramën nga përgjegjësia e tij direkte për vjedhjen e zgjedhjeve. Edi Rama mund të ketë hequr qafe për pak kohë SPAK-un, por ai nuk mund të heqë dot qafe shqiptarët, shumica e të cilëve kërkojnë largimin e tij”, tha Bardhi. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT