Partia Demokratike akuzon qeverinë dhe policinë për mungesën e rendit dhe sigurisë në vend, nisur nga ngjarjet kriminale të ditëve të fundit.

Ish-deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat nga selia blu, tha se kjo situatë ka shkaktuar pasiguri tek qytetarët.

“2 vrasje mafioze në Krujë, 2 vrasje të njëpasnjëshme  në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, 2 vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit. Krimi bën festë, ndërsa policia ka ikur në drejtim të paditur. Krimi e ka mposhtur shtetin, sepse shefi i policisë së Edi Ramës është i zënë duke i bërë gjyqin një gruaje, pasi policia është e zënë duke rrahur fëmijë. Mungesa totale e shtetit dhe lënia e territorit nën thundrën e krimit, ka krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve. Vrasja e dyfishtë mbrëmë, në Krujë, është vetëm episodi i radhës, që ka plotësuar serialin e gjakshëm në vend ku fjalët ligj, rend, siguri tashmë janë bërë të huaja. Janë të gjitha akte që frymëzohen nga mbrojtja e dhunës shtetërore prej Edi Ramës, Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut”, deklaroi ndër të tjera Alibeaj. /tvklan.al