“Qeveria të miratojë paketë masash social-ekonomike”

Vendimi më i fundit i qeverisë për të lejuar lëvizjen e automjeteve në mëngjes dhe një orë pasdite për Partinë Demokratike tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës dhe pandjeshmërinë e saj. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat selia blu thotë se ky vendim nuk i shërben aspak masave agresive kundër përhapjes së koronavirusit.

“Koronavirusi nuk infekton part-time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë. Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet!  Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë. Partia Demokratike vlerëson se për shkak të situatës së krijuar, karantina totale, për një periudhë 14 ditore fillimisht, është një zgjidhje që ndihmon në mospërhapjen e gjerë të virusit dhe për të vlerësuar përmasat e përhapjes së tij nga ekspertët”.

Sipas demokratëve në kushtet kur qeveria nuk përmbush detyrimin ligjor që të dezinfektojë rrugët, parqet apo pallatet, qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur. Kjo masë thuhet në deklaratën e Partisë demokratike duhet të shoqërohet menjëherë me miratimin nga qeveria të paketës së masave për pasojat social-ekonomike të krizës.

“1. Rimbursimin e bizneseve

2. Rimbursimin e pagës së punonjësve

3. Ndihmën për të papunët dhe familjet në nevojë”.

 Selia blu thotë se jeta e qytetarëve nuk ka çmim ndaj dhe përkrah çdo masë agresive kundër përhapjes së koronavirusit në vend.

Tv Klan