SPAK të zbulojë çfarë e lidh Kryeministrin me botën e krimit

Selia blu ka vijuar akuzat ndaj qeverisë se ka nxjerrë në kundërshti me ligjin, VKM-në që rikthen lojërat e fatit në Tiranë. Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se pas këtij projekti fshihet dhënia e licencës së njërës prej kazinove në qendër të kryeqytetit, të cilës i ka përfunduar leja e ushtrimit të aktivitetit.

“Qeveria ka lejuar hapjen e kazinove në një zonë në qendër të Tiranës ku, së fundi, janë dhënë disa leje ndërtimi për kulla dhe ku ndodhet aktualisht një kazino, të cilës i ka mbaruar licenca. Edhe pse ligji e ndalon shprehimisht hapjen e kazinove në zonat që nuk janë shpallur si me rëndësi kombëtare për turizmin, Edi Rama ka vendosur që ta injorojë këtë gjë.”

Demokratët e akuzojnë Kryeministrin se ka tradhtuar shqiptarët për llogari të krimit të organizuar.

“1. Për llogari të cilëve të burgosur tek 313-ta po mbush qendrën e Tiranës dhe ish bllokun me kazino 2. A përfitojnë nga ky vendim i marrë në fshehtësi ndonjë nga personat që ka takuar 2 netë më parë apo gjatë javëve të fundit? 3. A është lejimi i kazinove pjesë e pazarit të mbyllur me shokët e përgjimeve të Vangjush Dakos?”

Partia Demokratike thotë se SPAK-u duhet të hetojë një nga skemat më të zeza të Kryeministrit Rama me botën e krimit, pas takimeve që sipas saj janë zhvilluar javët e fundit.

Tv Klan