“4 kërkesa për të shmangur grevën e urisë në Thumanë”

Përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, Partia Demokratike i është drejtuar me një letër qeverisë dhe Bashkisë së Krujës.

Teksa pritet që pas 3 Janarit, banorët e Thumanës të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, duhet të lënë hotelet për t’u akomoduar në shtëpi me qira pas marrjes së bonusit prej 3 mijë Lekësh të reja për person.

Numri dy i demokratëve liston katër kërkesa me qëllim shmangien e grevës së urisë së paralajmëruar nga 100 familjet e prekura nga tërmeti.

Bardhi kërkon ofrimin e menjëhershëm të ndihmës shëndetësore për të gjithë banorët që ndodhen të strehuar në ‘Hotel Rafaelo’ si dhe krijimin e kushteve për strehim të përkohshëm gjatë periudhës që nevojitet për sistemimin e tyre në banesat e reja.

Deri në përmbushjen e kësaj mase, asnjë banor nuk duhet të detyrohet të dalë jashtë ambientit ku strehohen aktualisht, dhe Qeveria duhet të paguajë strehimin e tyre në hotelin ku ndodhen, pasi bonusi i qirasë, në vlerën 3 mijë Lekë për person, është i pamjaftueshëm për gjetjen e një strehimi nga vetë banorët. Dhe se vlera e qirasë është shumë herë më e lartë sesa masa që mbulon bonusi i qirasë”, thuhet në letrën drejtuar qeverisë dhe Bashkisë së Krujës.

Sipas Partisë Demokratike, Këshilli Bashkiak i Krujës duhet të rishikojë menjëherë vlerën e bonusit të qirasë për të gjitha familjet që kanë mundësi të gjejnë banesa me qira, duke bërë kompensimin e vlerës së plotë të qirasë.

Ndërkohë që për familjet që janë në pamundësi për ta gjetur vetë banesën me qira, për shkak të gjendjes shëndetësore apo shkaqeve të tjera, të jenë autoritetet lokale ato që të gjejnë dhe sigurojnë strehimin e tyre në kushte normale jetese.

Partia Demokratike kërkon “dërgimin e përfaqësuesve të autoriteteve shtetërore dhe lokale, për të informuar banorët e strehuar atje sesi do të veprohet me banesat e tyre, si dhe për t’u ofruar asistencë ligjore për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke shmangur burokracitë e panevojshme dhe kërkesat për dokumentacion jashtë mundësive të qytetarëve”.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve kërkon gjithashtu ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore për të siguruar që asnjë prej banorëve të prekur dhe që përkohësisht është strehuar larg qendrës së punës, të humbasë punën për këtë shkak, duke i kërkuar autoriteteve lokale të marrin masat për të siguruar transportin e qytetarëve që janë në marrëdhënie pune larg vendit ku strehohen aktualisht, nga vendi i strehimit për në qendrën e tyre të punës.

Tv Klan