Partia Demokratike i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me një letër zyrtare, ku kërkon informacion për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit 2019, për pallatet që u shkatërruan në atë të 26 nëntorit në Thumanë.

Burime nga selia blu bëjnë me dije se në këtë letër, PD i drejtohet kreu të ekzekutivit dhe kryetarit të Bashkisë së Krujës, ndërsa shtron 5 pyetje që lidhen me inspektimin dhe masat që janë marrë pas tërmetit të shtatorit, për dy pallatet  në Thumanë të cilat u shembën një javë më parë pas lëkundjes me magnitudë 6.4 ballë, duke shkaktuar viktima dhe të lënduar.

Pyetjet e parashtruara në këtë kërkesë : 1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?

2. A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.

3. A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?

4. Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?

5. Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo?

tvklan.al