Partia Demokratike ka denoncuar sot Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj se ka shantazhuar në emër të qeverisë kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Selia blu pretendon se Ministri i Brendshëm ka thirrur në zyrë të premten në orën 15:00 shoqëruesin e Kryetarit të Partisë Demokratike për t’i kërkuar që të informojë zotin Basha se “si ministër i Brendshëm, kishte informacione të tërthorta dhe të besueshme mbi rrezikun që i kanosej sigurisë së kryetarit të opozitës”

Partia Demokratike thotë se Ministri i Brendshëm e ka thelluar aktin e tij të paligjshëm dhe shantazhues, kur i ka kërkuar shoqëruesit të zotit Basha, punonjës i Gardës së Republikës, që t’i kthejë përgjigje me gojë e jo me shkrim, nëse Partia Demokratike vlerëson se kërkon masa shtesë sigurie për kryetarin e saj.

Përmes një letre drejtuar ministrit të Brendshëm nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, Partia Demokratike e quan të paprecedentë dhe kujton detyrimin ligjor që informacionet mbi rrezikun e sigurisë së kryetarit të opozitës, t’i trajtojë në rrugë institucionale, duke vënë zyrtarisht në dijeni Gardën e Republikës, si autoritetin përgjegjës. “Në të kundërt, mbyllet letra, -Partia Demokratike do ta konsiderojë veprimin tuaj shantazh për qëllime politike dhe ju do të mbani përgjegjësi për këtë veprim.

Tv Klan