Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka deklaruar në studion e Klan News se nëse nuk merr mandatin do të largohet nga politika.

Patozi u shpreh se BD synon të jetë forcë parlamentare dhe sipas tij ky është një objektiv i panegociueshëm.

Kemi dëgjuar shumë gjatë kësaj kohe që nëse Bindja Demokratike nuk plotëson objektivat e saj, Astrit Patozi largohet. Konkretisht në numra, për çfarë objektivash bëhet fjalë?

“Si forcë e re politike, objektivat tona nuk mund të jenë të njëjta me PD-në apo PS-në dhe besoj se për këtë kemi mirëkuptimin e publikut dhe të gjithkujt. Bindja Demokratike synon që të jetë forcë parlamentare dhe të jetë forcë përfaqësuese. Këtë objektiv ne e kemi të panegociueshëm.”

Duhet të mjaftojë një deputet për të qenë forcë parlamentare?

“Jo, ne si forcë politike, të paktën për sa më përket, nuk do të merrni kurrë përgjigje për sa mandate. Kjo tregon siguri absolute për një sens realizmi të qartë sepse ne jemi të ndryshëm. Jemi krijuar të ndryshëm nga PD, LSI dhe PS. Po të dëgjoni ata, Edi Rama thotë 98 mandate, Basha thotë 110, Kryemadhi thotë 85. Mbidhi këto mandate dhe gjeje sa deputetë ka parlamenti.

Ne nuk na lejohet që ta bëjmë këtë gabim. Ne do marrim aq mandate sa populli shqiptar të na besojë dhe atë lloj investimi do t’jua kthejmë qytetarëve shqiptarë përmes atyre që ne do të bëjmë duke qenë forcë përcaktuese qeverisëse, nëse do jemi në qeveri. Dhe forcë e fuqishme opozitare nëse do jemi në opozitë.”

Këtë besoj meriton ta marrim si përgjigje. Kjo është beteja juaj finale? Nëse nuk merrni mandatin, largoheni nga politika?

“Me shumë gjasa, unë nuk dua ta besoj, por në rast se kjo ndodh unë largohem pa asnjë hezitim.”

Klan News