Ndryshojnë strukturat drejtuese

Partia Demokratike mblodhi këtë të hënë Këshillin e ri Kombëtar. Me votë unanime u miratuan ndryshimet në strukturat drejtuese të propozuara nga kryetari Lulzim Basha.

Tashmë selia blu do të ketë 4 nënkryetarë të cilët do të jenë Alfred Rrushaj i cili do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar si dhe Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Grida Duma.

Gazment Bardhi do të mbetet Sekretar i Përgjithshëm. Në krye të Këshillit Kombëtar është zgjedhur Edi Paloka që mori vendin e Bujar Nishanit i cili ka qenë mjaft kritik me lidershipin e Partisë Demokratike pas humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit.

Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbylluar për mediat dhe që ka zgjatur rreth 60 minuta është hapur me një fjalë të kryetarit Lulzim Basha. Mësohet se ai e ka vënë theksin te zgjedhjet të cilat i ka konsideruar sërish një masakër elektorale që nuk u dha zgjidhje qytetarëve.

Më pas në një reagim në rrjetet sociale Basha shkroi se demokratët i dhanë besim ekipit të ri për një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend.

Basha flet për ndërtimin e një Platforme Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Këshilli Kombëtar ka votuar më pas për 15 emrat që do të zgjidhen në kryesinë e re.

Tv Klan