Kryesia e Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje këtë të premte. Në të është rënë dakord për modalitetin se si do t’i bëhet analiza për humbjen në zgjedhjet e 25 Prillit.

Po ashtu është vendosur që të mblidhet Kuvendi Kombëtar më 17 Korrik. Mësohet se në mbledhjen e Kuvendit është përcaktuar edhe rendi i ditës, ku fillimisht do të informohet për masakrën zgjedhore të 25 Prillit. Pas kësaj do të përcaktohen linjat kryesore të strategjisë politike të PD.

Në pikën e dytë është parashikuar që të vlerësohet mundësia për ndryshime në statutin e PD-së. Në pikën e tretë të rendit të Kuvendit është përcaktuar zgjedhja e Këshillit Kombëtar të PD-së që aktualisht drejtohet nga Bujar Nishani.

Këto lëvizje në radhët e PD-së vijnë pas zgjedhjeve për kryetar, ku Lulzim Basha u konfirmua me mandatin e tretë radhazi.

Vendimi i kryesisë:

I. Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë, ditën e shtunë, datë 17 Korrik 2021, ora 11:00.

II. Rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, është si më poshtë:

“1. Informimi i Kuvendit Kombëtar të Partisë mbi analizën e masakrës zgjedhore të 25 Prillit 2021 dhe përcaktimi i linjave kryesore të strategjisë politike  të Partisë Demokratike, në rolin dhe përgjegjësinë e saj në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe rikthimit të legjitimitetit të institucioneve demokratike. 

2. Vlerësimi i mundësisë për ndryshime në Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në funksion të rritjes së eficencës së organeve të partisë apo demokratizimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit të strukturave të Partisë.

3. Zgjedhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike./tvklan.al