Do zgjidhet ekipi i ri drejtues i partisë dhe Grupit Parlamentar

Pas Kuvendit Kombëtar të mbajtur pas humbjes në zgjedhje dhe pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, kjo forcë rinovon strukturat e saj drejtuese. Pasditen e sotme është thirrur Këshilli Kombëtar për të votuar për përzgjedhjen e Kryesisë së re, si dhe ekipit drejtues të partisë.

Sipas axhendës së zbardhur fillimisht do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Këshillit, detyrë e cila deri më tani ushtrohet nga ish-presidenti Bujar Nishani, por duke qenë se është një nga zërat më të fortë oponentë të Lulzim Bashës pas humbjes në 25 Prill, rizgjedhja e tij ka pak gjasa të ndodhë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit do të bëhet edhe njoftimi i përbërjes së Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD dhe caktimi i drejtuesve të komisioneve të përhershme kuvendore.

Po ashtu do të votohet dhe për nënkryetarët e rinj të PD, të cilët do të jenë tre, ndryshe nga deri më tani ku ka patur vetëm dy, poste që aktualisht mbahen nga Edmond Spaho, Edi Paloka. Këshilli do të votojë edhe për postin e Sekretarit të Përgjithshëm që këtë 4-vjeçar është mbajtur nga Gazment Bardhi.

Gjithashtu në këtë mbledhje do të zgjidhet Sekretariati i Partisë; Kryetari i Komisionit të Apelimit, Komisionit Zgjedhor; dhe të Bordit Financiar të Partisë.

Tv Klan