Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka qenë në Pinar, një fshat disa kilometra larg Tiranës këtë të shtunë ku ka vizituar një qytetar. Bec Tusha, baba invalid i dy fëmijëve që i rrit i vetëm ka denoncuar faktin se 14 muaj pas tërmetit askush nuk ka vënë dorë mbi shtëpinë e tij.

Ai tha se megjithëse ka shkuar disa herë në Bashki nuk ka marrë zgjidhje, por veç premtime.

“Kam qenë 4-5 herë, nuk është bërë asgjë, më keq. Na kanë kthyer 20 vjet mbrapa, sikur tërmeti ka rënë veç majtas”, i tha kryefamiljari Jorida Tabakut, e cila po e viziton për të disatën herë brenda 1 viti.

Tabaku tha se opozita do ta ngrejë lart këtë shqetësimi dhe bëri përgjegjëse qeverinë dhe bashkinë e Tiranës për gjendjen e mjeruar ku jetojnë mijëra familje në periferi të kryeqytetit.

“Do ta ngremë sërish shqetësimin e shtëpisë deri më 25 prill, se pas 25 Prillit do ta rregullojmë vetë. Nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk mund të lësh njerëzit në mes të katër rrugëve. 200 mijë shqiptarë janë prekur në 11 bashki nga tërmeti dhe qeveria nuk ka marrë as masën më të vogël, sepse kanë pritur ose të marrin vota ose të bëjnë korrupsion. Edhe për tërmetin i ndajnë në majtas dhe djathtas, edhe në fatkeqësi. Nxjerrin në televizion projekte 3D dhe këtu njerëzit vdesin për bukën e gojës dhe nuk kanë as ujë, as drita. Është e pafalshme që kaq afër Tiranës, erdhëm për 1 orë e gjysëm nga rruga e pashtruar, e që duhej të ishte një nga bukuritë më të mëdha natyrore, e duhej të vinin për turizëm, por është e lënë në harresë”, tha Tabaku./tvklan.al